Ndryshim i vetëm numri i dështimit: 31!

4 Min Read

Dështoi edhe vazhdimi i 31-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Filloi njëjtë sikurse herët e kaluara: tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe
Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan
dhe nuk morën pjesë në votim.
Në sallë kanë qenë 80 deputetë, për kanë votuar 47, kundër asnjë dhe asnjë nuk ka abstenuar.

Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 15 qershor, në orën 11:00.

Abrashi: Paralizimi institucional nuk i duhet Kosovës, Albulena Haxhiu nuk është problemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, kritikoi opozitën pas dështimit të radhës të seancës plenare, duke e quajtur këtë si vazhdim të bllokadës politike, raporton Ekonomia Online.

“Fatkeqësisht edhe sot ishim dëshmitarë të vazhdimit bllokues. Një qasje e tillë është duke krijuar pasoja dhe se paralizimi i jetës institucionale nuk është gjë që i duhet Kosovës. Nuk ka reflektim. Ne e kemi diskutuar atë që quhet plan dhe në diskutimet tona lidhur me pikat kemi arritur në përfundim që si mund të pres Abdixhiku që mund të pajtohemi për 15 gjëra kaq të mëdha ndërkohë që nuk kemi pajtueshmëri për votimin e një komisioni për votim te fshehtë.

Pyetja që shtrohet ku po e sheh rrezikun e tillë në Kosovë. Nëse e sheh Serbinë rrezik pse nuk morën pjesë në takim konsultativ të Kurtit. Që prej fillimit deri sot kurrë nuk ka qenë dhe nuk është problem emri i Albulena Haxhiut”, tha ai.

Çitaku: S’ka definicion në gjuhën shqipe për të përshkruar absurditetin e situatës që ndodhemi

Depuetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas dështimit të 31-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tha se nuk ka fjalë shqip që përshkruan absurditetin e situatës së krijuar, raporton Ekonomia Online.

“Fatkeqësisht mungon definicioni në gjuhën shqipe për të përshkruar absurditetin e situatës në të cilën ndodhemi. Kemi pa tash e disa muaj një shpërfaqje të shkallës së lartë të papërgjegjësisë dhe mungesës së ndjeshmërisë në raport me qytetarin”, u shpreh Çitaku.

Haradinaj: Dy liderët e partive më të mëdha thanë se s’i kanë numrat, s’e di cila do të jetë zgjidhja

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, komentoi iniciativën e LDK-së dhe planin e saj 15 pikësh të Qeverisë të Unitetit Kombëtar, raporton Ekonomia Online.

“Iniciativa për zhbllokim të situatës duhet të vlerësuar, por e thanë edhe dy liderët e partive më të mëdha ‘nuk i kemi numrat’. Pra, nëse s’i kanë numrat, nuk e di se cila do të jetë zgjidhja, megjithëse duhet vlerësuar tendenca për zhbllokim, megjithëse kisha thënë që duhet të reflektojë partia e parë”, tha Haradinaj.

Limaj: Pres që Abdixhiku të na prezantojë zyrtarisht Qeverinë e Unitetit

Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj tha për propozimin e LDK-së për formimin e një Qeverie të Unitetit se nuk kanë pasur ndonjë bisedim zyrtar, megjithëse shton se është në pritje që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku t’ua prezantojë zyrtarisht.

“Do të ketë shpejt marrëveshje politike”, tha Limaj.

Share This Article